AlbanianSport.com 09/02/2019 15:05
ASNN – Kryefjala e të gjitha mediave greke të shtunën ishte sulmuesi shqiptar Fiorin Durmishaj dhe mundësia e kalimit të tij nga Panioniosi në radhët e skuadrës së madhe të Pireut në Athinë, Olimpiakos. Natyrisht, një lajm i tillë është parë nga Panioniosi si një diversion i Olimpiakosit dhe i mediave pranë tij për të prishur harmoninë në radhët e klubit të tyre dhe për të mundësuar që lojtari shqiptar të ishte i dyzuar.
Klubi i Panioniosit nxitoi t’i hidhte poshtë menjëherë zërat se Olimpiakosi ka arritur marrëveshje për të marrë Durmishajn në fund të sezonit për shumën e 400 mijë Eurove. “FC Panionios hedh poshtë kategorikisht një lajm ku thuhet se futbollisti Fiorin Durmishaj ka nënshkruar me një ekip tjetër”, – shkruhet në reagimin e klubit grek të futbollistit shqiptar.
“Publikime të tilla, sidomos në ditën e një ndeshje kaq të rëndësishme si ajo e sotmja, synojnë vetëm të krijojnë tension brenda ekipit tonë”, – shton më tej reagimi i Panioniosit. Theksojmë se Durmishaj ka qenë në faqet e para të mediave sportive greke për disa javë me radhë, si pasojë e paraqitjes së tij të mrekullueshme me skuadrën e tij.
Aty, ku ka spikatur me gola dhe pasime ideale, por edhe lojë në tërësi fantastike, dëshmuar me rezultate mjaft të mira të Panioniosit, pasi e ka kualifikuar ekipin e tij në çerekfinale të Kupës së Greqisë.