AlbanianSport.com 08/03/2019 19:20
ASNN – Durmishaj zgjedh Greqinë, trajneri që e zbuloi e tepron me deklaratën: Ka zemrën dhe mendjen e një greku. Mbetet vetëm të zyrtarizohet kalimi i Fiorin Durmishajt në radhët e përfaqësueses greke. Prej disa ditësh djaloshi ka lënë të kuptohet se i ka thënë “po” trajnerit të kombëtares helene Angelos Anastasiadhis dhe pritet të grumbullohet menjëherë me ekipin përfaqësues helen, ndërsa FSHF-ja është e detyruar t’i japë dokumentet për këtë lëvizje, pa shkuar çështja në gjyq në FIFA. Lojtari nuk ka folur vetë, por kanë folur të tjerët, përfshi menaxherin, mediat greke, federate greke dhe vetë trajneri i përfaqësueses së Greqisë.
Pranohet që Fiorin Durmishaj është bërë “grek”. Si të mos mjaftonte zgjedhja e lojtarit, i cili është cilësor dhe kombëtarja kuqezi humbet një lojtar të mirë dhe me të ardhme, në median greke flitet me superlative për ata që e bindën të zgjidhte Greqinë, ku njëri prej tyre, ai që e pikasi si element të talentuar, Janis Pavlopulos, në një intervistë të dhënë për “Fosonline”, ka shkuar deri atje sa të provokojë, duke thënë se djaloshi ka mendjen dhe zemrën e një greku, megjithëse pranohet gjerësisht se ai ka një dashuri shumë të madhe për Shqipërinë, atdheun e prindërve të tij, në fakt atdheun e tij. “Fiorin Durmishaj është i apasionuar pas futbollit dhe jep 110% nga vetja e tij”, – thekson Pavlopulosi.
“E përjeton gjithmonë me emocione të mëdha ndeshjen, – shtoi më tej Pavlopulosi në komentin e tij. – Unë jam krenar për të, sepse ka pasur një karrierë të vështirë. Jemi duke folur për një familje të varfër, me shumë probleme. Duhet ta dini që ky djalë ka kaluar shumë probleme në Greqi, si dhe ka vuajtur racizmin. Kjo është arsyeja se pse ai ka arritur kaq shumë, se ka një shtysë. Pjesa e të luftuarit, e ka bërë atë edhe më të veçantë, ndaj gëzohem kur dëgjoj se ai do të veshë fanellën e Greqisë. Është më i miri në moshën e tij. Sigurisht që ai është grek, pasi u rrit këtu. Po, e do vendin e prindërve të tij, por gjithashtu do edhe Greqinë.”
“Unë e di që ai ka mendjen dhe zemrën e grekut dhe prandaj do të veshë këtë fanellë e jo të Shqipërisë”, – ka përfunduar ai. Kalimi tek përfaqësuesja greke do të thotë në krahun tjetër se trajneri italian i Kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi, duhet të gjejë tani lojtarë të tjerë me cilësitë e tij në sektorin e mesfushës së avancuar. Një nga arsyet që të gjithë shpresonin që Fiorin Durmishaj të vishte fanellën e ekipit të parë kombëtar të Shqipërisë, kishte të bënte me momentin mjaft pozitiv që ai po kalon në radhët e Panioniosit në kampionatin grek, ku ka shënuar 11 gola deri tani dhe është lider i këtij ekipi.