AlbanianSport.com 04/01/2019 19:55
ASNN – Atij iu deshën vetëm dy orë në mjediset e klubit të Ingolstadtit në Bundesligën 2 të Gjermanisë që të flasë si lideri kryesor i grupit. Bëhet fjalë për Mërgim Mavrajn, i cili braktisi kampionatin helen dhe iu bashkua skuadrës së ligës së dytë gjermane. Arisi i Selanikut nuk ishte prova e duhur për të, dhe, për më tepër mbrojtësi e pa veten të papërshtatshëm në një kampionat ku histeria anti-shqiptare shprehet në lloj-lloj formash.
Ai u kthye atje ku edhe ka shkëlqyer, por këtë herë me një skuadër të re në karrierën e tij. Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi po ngjan me një elektron të lirë, duket sikur nuk po zë rrënjë në asnjë vend, por për kampionatin gjerman bëhet i besueshëm, sepse Mavraj e njeh terrenin dhe është një lojtar që ka spikatur. Madje pa kaluar disa orë në gjirin e skuadrës së Ingolshtadtit, futbollisti kuqezi ka folur si lider, duke marrë edhe atributet e kapitenit, megjithëse nuk është i tillë.
“Unë jam i bindur se do të luftojmë shumë për të dalë nga gjendja aktuale, – theksoi Mavraj për mediat gjermane, – kam përjetuar momente të ngjashme në karrierën time dhe tani dua të sjell në përvojën dhe mendësinë time.” Këto fjalë vërtetojnë entuziazmin e Mavrajt pas këtij transferimi, i dëshiruar si nga vetë lojtari, por edhe nga vetë klubi grek, Aris, pasi Mavraj po shihej në Selanik si tersi i skuadrës helene. Skuadra ku ka shkuar Mavraj, Ingolstadti, ndodhet në vendin e fundit të Bundesligës 2.
Ajo ka vetëm 10 pikë, por ka shanse të rikuperojë në pjesën e dytë të sezonit, pasi skuadrat që janë mbi treshen e fundit në renditje nuk janë më shumë se 3-4 pikë larg. Pra jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht Mavraj me shokë ka shanse të mbijetojnë në kategori. Dhe blerja e shqiptarit konsiderohet nga Ingolshtadti me peshë për fatet e mbijetesës.