AlbanianSport.com 26.05.2016 11:15
ASNN – Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Ansi Agolli, ka përmbyllur një tjetër sezon të jashtëzakonshëm në futbollin azer, duke i shtuar titullit “kampion” edhe trofeun e Kupës së Azerbajxhanit.
Në finalen e zhvilluar të mërkurën në mbrëmje, ka qenë pikërisht një pasim i bukur i shqiptarit në minutën e parafundit, atë të 119-tën, që çoi në golin e fitores për Karabakun.
Skuadra e Agollit triumfoi kështu vetëm në fundin e dy pjesëve shtesë ndaj Njeftçit, duke bërë të vetën trofeun e Kupës.
33-vjeçari Ansi Agolli është një nga lojtarët kyç të skuadrës së tij dhe tifozët e klubit azer i kanë kushtuar atij gjatë finales edhe një pankartë masive ku shkruhej se “pa Ansin, nuk ka festë”.
Mbrojtësi i krahut luan prej 6 sezonesh në futbollin azer, ndërsa është një titullar i padiskutueshëm edhe në Kombëtaren kuqezi.
Agolli ka udhëtuar sot nga Azerbajxhani drejt Austrisë, duke u bërë futbollisti i fundit që i bashkohet përfaqësueses së Shqipërisë në fazën përgatitore për pjesëmarrjen e parë dhe historike në Evropianin “Francë 2016”.