Adriatik Balla 12.05.2015 15:05
Lojtarët e përfaqësueses po mbyllin përgjithësisht një sezon të mirë, me suksese, por ka dhe nga ata që bënë një sezon të mirë por nuk kanë të ardhme të sigurt në klubet ku ishin, gjë që ka sjellë dilema rreth qëndrimeve që do të mbajnë në prag të merkatos së verës. Kështu, pas fillimit surprizë të fazës së dytë me 7 ndeshje pa humbje, FSV Frankfurti i dyshes shqiptare, Odise Roshit dhe Edmond Kapllanit, nuk po e njeh më fitoren prej 10 javësh.
Humbja e fundit është ajo me 1860 Mynihun, pikërisht me golin e shënuar nga Valdet Rama në minutën e 84-t. Roshi luajti gjatë gjithë takimit, ndërkohë që Kapllani hyri në lojë nga minuta e 68-të, pikërisht kur hyri dhe Rama për Munih 1860. “Frankfurter Noje Prese” shkruan se, pavarësisht se Odise Roshi po përpiqet të japë maksimumin në fushë, ai nuk është aspak i qetë në lojë, kjo dhe për shkak të presionit që fieraku ka nga klubi pas mospranimit të rinovimit të kontratës.
Mesfushori Odise Roshi ka shënuar këtë sezon 3 gola në 20 ndeshje. Destinacioni i tij i ri për momentin mbetet e paqartë. Ajo që është e sigurt ka të bëjë me angazhimet e tij në skuadrën përfaqësuese. Roshi është një nga pikat e dobëta të trajnerit De Biazi dhe ka marrë vazhdimisht mbështetjen e tij, shprehur me ftesën e padiskutueshme për mesfushorin në çdo grumbullim apo ndeshje të ekipit kombëtar, madje duke u aktivizuar në shumicën dërrmuese të ndeshjeve të Kombëtares si titullar.