Adriatik Balla 05.06.2015 21:05
Mesfushori i Kombëtares, Migjen Basha, pritet t’i japë fund pas katër vitesh punës së tij te Torino. Futbollistit tonë kuqezi i skadon kontrata me klubin torinez dhe duke parë që ka luajtur shumë pak gjatë sezonit që sapo u mbyll, vështirë se do të qëndrojë nën urdhrat e trajnerit Ventura.
Dëmtimet e njëpasnjëshme që ka pësuar gjatë dy sezoneve të fundit kanë ndikuar në rendimentin e tij të ulët në fushën e blertë, çka është reflektuar edhe në mungesën e tij në formacion në Kombëtaren Shqiptare. Basha gjatë sezonit të fundit është aktivizuar në vetëm 6 ndeshje të Serisë A, duke dhënë një kontribut minimal për Torinon.
Sipas mediave italiane, 28-vjeçari është me valixhe në dorë, pasi klubi i Torinos nuk ka dhënë sinjale për një rinovim të mundshëm të kontratës. Edhe gjatë merkatos së janarit
u përfol gjatë për një largim të mundshëm të Bashës nga kryeqendra e Piemontit, por ofertat në drejtim të tij nga skuadrat e Serisë B nuk ishin të kënaqshme.
Tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e mesfushorit kuqezi, i cili mund të preferojë një eksperiencë jashtë Italisë.