AlbanianSport.com 20/05/2019 18:20
ASNN – Midis Evropës, stolit dhe mbijetesës në Itali, por edhe trofeve të Kupës në Zvicër dhe Azerbajxhan. Një fundjavë midis Evropës, stolit dhe mbijetesës në Itali, por edhe trofeve të Kupës në Zvicër dhe Azerbajxhan, si dhe zhgënjimit të rënies nga kategoria në Greqi dhe Turqi. E tillë ka qenë kjo fundjavë për futbollistët shqiptarë që militojnë në ekipet e tyre anembanë kontinentit të vjetër.
Teksa sezoni futbollistik anembanë kontinentit të vjetër, po përvijohen edhe synimet e skuadrave ku militojnë futbollistët shqiptarë. Kështu, Atalanta, ku militon portieri Etrit Berisha, i cili ishte në stol, dhe mbrojtësi Berat Gjimshit, i cili ishte titullar, përfitoi nga festa e Juventusit, duke u marrë kampionëve të këtij sezoni një pikë mjaft të vyer në barazimin 1-1 të dielën.
Kjo pikë i mban bergamasit në vendin e 3-të dhe favoritë kryesorë për ta ruajtur këtë vend përballë një sfide të katërfishtë përballë Interit, Milanit dhe Romës, në betejën për vendet në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Ndërkaq, Hysaj nuk u aktivizua në fitoren 4-1 që Napoli arriti ndaj Interit, ndërsa zërat e merkatos e largojnë atë gjithnjë e më tepër nga nënkampionia e Italisë.
Ndërkaq, Empoli i Frederik Veselit ka korrur një fitore të thellë, 4-1, ndaj Torinos, duke kapërcyer në renditje mbi Xhenoan dhe duke dalë, të paktën hëpërhë, jashtë zonës së rënies në Serinë B. Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi u aktivizua vetëm në 13 minutat e fundit të kohës së rregullt, kur rezultati ishte 3-1 në favor të Empolit.