Adriatik Balla 23.05.2015 11:40
Sulmuesi kosovar i përfaqësueses kuqezi, Shkëlzen Gashi, mund të përfitojë nëse Lacio fiton duelin derbi me Romën ditën e hënë. Një derbi vendimtar që ndiqet me kujdes nga sulmuesi i Kombëtares tonë kuqezi. Një fakt i tillë nuk është aspak i çuditshëm edhe pse Gashi aktualisht është pjesë e skuadrës së Bazelit.
Sipas faqes sportive italiane të specializuar të merkatos në Internet, “Tuttomercatoweb.it”, golashënuesi kuqezi do të transferohet te Lacio në rast se bardhekaltërit sigurojnë një biletë për në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm dhe në këtë optikë, sfida e së hënës është jetike për këtë objektiv.
Sipas informacioneve mediatike nga përtej Adriatikut, sulmuesi i Bazelit ndiqet prej kohësh nga drejtori sportiv, Igli Tare, i cili do ta nisë një ofensivë gjatë merkatos së verës për ta sjellë atë në “Olimpiko”. 21 golat e realizuar gjatë këtij sezoni në kampionat me kampionët e Zvicrës nuk kanë kaluar pa rënë në sy pasi Gashi ndiqet edhe nga disa klube të tjera evropiane.
Aktualisht, Lacio mban vendin e tretë në renditjen e Serisë A, me dy javë nga fundi i sezonit dhe ruajtja e këtij pozicioni ose rikthimi në vendin e dytë do të rezultonte një sezon i suksesshëm dhe në këtë mënyrë, presidenti Lotito do të kishte dorë të lirë për të
shpenzuar shumën e kërkuar nga Bazeli për lojtarin shqiptar.