AlbanianSport.com 18.06.2015 23:35
ASNN – Napoli është shumë pranë marrjes së Elseid Hysajt. Bën ofertën zyrtare, Empoli do mbi 4 milionë euro. Ka një ofertë zyrtare për Elseid Hysajn. Napoli e ka ndarë më në fund mendjen dhe kërkon ta marrë mbrojtësin e kombëtares shqiptare. Klubi i rëndësishëm i Serisë A shpreson që 21-vjeçari të vijë në “San Paolo” së bashku me dy shokë të tjerë të tij tek Empoli, Valdifiori dhe Saponara.
Presidenti De Laurentis shpreson që këta futbollistë t’i bëjë të vetët për 23 milionë euro. Për Valdifiorin gjithçka ka përfunduar dhe Napoli do ta ketë të vetin për 5 milionë euro, ndërsa ende nuk ka marrëveshje për Hysajn dhe Saponarën. Besohet se Empoli e vlerëson Hysajn në më shumë se 4 milionë euro, ndërsa Saponara, i sapoblerë nga Milani kushton edhe më shumë.
Trajneri i Napolit, Sarri, i njeh mirë të gjithë futbollistët pasi ka punuar sezonin e kaluar me ta, si trajner I Empolit. Nëse Hysaj do t’ia dalë të veshë fanelën napolitane, atëherë ai do të arrijë shkallën më të lartë të karrierës së tij ende të shkurtër. Do të merrte pjesë në Ligën e Evropës dhe mund të pretendonte për titullin “kampion” në Serinë A të futbollit italian.