AlbanianSport.com 29.07.2015 12:55
ASNN – Elseid Hysaj është bërë dje pjesë e Napolit dhe ka nënshkruar një kontratë që zgjat pesë vjet, pra ai do të jetë pjesë e napolitanëve deri në vitin 2020. Duke iu referuar mediave italiane që e dhanë lajmin dje pasdite, bëhet fjalë për një marrëveshje të arritur midis Napolit dhe Empolit, ku presidenti Laurentiis i Napolit pagoi për kartonin e shqiptarit një shifër prej 5 milionë eurosh.
Vetë presidenti i Empolit, Fabrizio Korsi, në një intervistë dhënë për mediat italiane zbuloi i pari interesimin e parezistueshëm të Napolit për Elseid Hysajn, mbrojtësin e talentuar të Kombëtares shqiptare. “Hysaj te Napoli? – pati thënë Korsi. – Di që ka një interesim nga ana e shoqërisë së kaltër por nuk mund të flas me detaje sepse nuk e di me saktësi çmimin e kartonit të lojtarit.”
Pas interesimit fillestar për Elseid Hysajn tratativat mes klubit të Napolit dhe Empolit kishin mbetur pezull për disa javë, por periudha e qetësisë tashmë ka marrë fund dhe mediat italiane njoftojnë se Napoli ka bërë të vetin mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Strategjia e Napolit ishte për të ulur çmimin e Hysajt në më pak se 4 milionë euro, por në fund palët ranë dakord për shumën e 5 mln eurove.
Marrëveshja u arrit edhe për faktin se në garë për mbrojtësin kuqezi ishin edhe disa klube gjermane dhe Napoli nxitoi në momentin e fundit të finalizonte transferimin e Hysajt në radhët e veta.