AlbanianSport.com 17/11/2018 07:55
ASNN – Çellsi i Londrës nuk heq dorë prej Elseid Hysajt. Që prej kalimit të trajnerit Mauricio Sarri në krye të skuadrës angleze, ky klub nuk ka hequr dorë së monitoruari situatën e mbrojtësit të Kombëtares kuqezi. Në fakt, mundësia e lëvizjes së Hysajt drejt Çellsit është e madhe që në janar, ose e sigurt në verën e vitit tjetër. Sipas mediave italiane, edhe pse presidenti Aurel De Laurentis i Napolit ka vënë veton për shqiptarin, duke bllokuar lëvizjen e tij me një klauzolë prej mbi 50 milionë euro, duket se shqiptari është në rrugën e duhur për të kaluar në kampionatin anglez.
Kjo, pasi trajneri Karlo Ançeloti ka filluar të kërkojë lojtar krahu për mbrojtjen, duke nënkuptuar se është i pakënaqur nga Hysaj. Menaxheri i futbollistit shkodran, Mario Xhufredi, deklaroi se Çellsi ende nuk ka hequr dorë nga Hysaj. “Kur e sheh që te Napoli po luan Malkuiti dhe dëgjon se ata po kërkojnë lojtarë tjerë në këtë pozitë, – u shpreh Xhufredi, – e kupton se ka kërkesa për Hysajn. Ata që thonë ndryshe janë të keqinformuar, Hysaj është një futbollist që mund të luaj shumë mirë në futbollin anglez, pasi është lojtar fizik dhe shumë klube janë vënë pas tij.”
“A vlen Hysaj 50 milionë euro? – vijoi ai. – Për mua vlen 60 milionë.” Është e qartë tashmë se në përpjekje për të gjetur gjuhën e rinovimit, Napoli po i bën presion Hysajt me gjetjen e një futbollisti tjetër në krahun e djathtë të mbrojtjes, përpos që javët e fundit ka angazhuar shpesh edhe rivalin e Hysajt, Malkuitin. Këto janë shenja që po i çojnë Napolin e Hysajn drejt ndarjes përfundimtare dhe janari mund të ofrojë surpriza në këtë drejtim.