AlbanianSport.com 07.02.2016 21:20
ASNN – Napoli dhe Juventusi janë të pandalshëm në Serie A. Ekipi i trajnerit Sarri dhe ku shqiptari i mbrojtjejs, Elseid Hysaj, është shndërruar në titullar të padiskutueshëm, mposhti 1-0 këtë të diel Karpin, duke regjistruar fitoren e tetë radhazi. Por rekordin për fitoret radhazi në këtë kampionat e mban Juventusi. Bardhezinjtë prej 14 javësh dinë vetëm të fitojnë, këtë herë ishte Frosinone ekipi i mposhtur.
Edhe pse me vështirësi, Napoli i Hysajt mori më të rëndësishmet nga ndeshja e kësaj jave, 3 pikët. Karpi mbeti me një lojtar më pak në minutën e 56-të, pas daljes me kartonin e kuq të Bianko. Vendasit e rritën ndjeshëm presion dhe në minutën e 69-të fituan një 11-metërsh, të cilën e ktheu në gol i përhershmi Higuain. Hysaj luajti përgjatë gjithë ndeshjes, duke demonstruar formën e shkëlqyer që po kalon.
Një fitore deri diku të ngjashme arriti edhe Juventusi. Bardhezinjtë mposhtën Frosinonen 0-2 në fushën e kësaj të fundit. Goli i parë për torinezët u shënua kolumbiani Kuadrado, vetëm 15 minuta nga fundi i takimit. Megjithatë, ky nuk ishte goli i vetëm në këtë takim, pasi në fund rezultati u vendos nga argjentinasi Dibala, që i çoi shifrat në 0-2.
Pas dy ndeshjeve mjaft pozitive, Milani gabon në shtëpi. Ekipi i drejtuar nga trajneri serb Mihajloviç mori vetëm një barazim 1-1 në “San Siro” ndaj Udinezes. Në pjesën e parë shënuan miqtë, ndërsa në pjesën e dytë Niang barazoi rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në fundin e kohës së rregullt. Pas javës së 24-t, renditja në Serinë A kryesohet nga Napoli me 56 pikë, Juventusi i dyti me 54, ndërsa në vendin e tretë renditet Fiorentina me 46 pikë.