AlbanianSport.com 23/02/2021 23:20
ASNN – 19-vjeçari flet si lojtar i klubit polak, premton se është gati për sfidën e re. Ernest Muçi është prezantuar si blerja më e re e Legias së Varshavës, e cila e ka cilësuar atë si “talentin shqiptar të momentit. Po çfarë mendon ai vetë? “Kështu thonë, por tani që jam këtu është pak ndryshe, – përgjigjet i riu. – Duhet të tregoj veten dhe të luaj për skuadrën duke dhënë 100%-shin tim. Dua të rritem këtu si futbollist. Është një mundësi e re.”
“Është sfidë e ashpër, por jam gati të përballem, – ka vijuar ai. – Menaxheri më tha se Legia ishte interesuar për mua që një vit më parë. Isha kaq shumë i lumtur Është një klub dhe mundësi e madhe për mua. Ata negociuan dhe sot jam shumë i gëzuar që ndodhem këtu. Është një ëndërr e bërë realitet, mezi pres të dalë në fushë. Pashë klubin, qytetin. Është shumë mirë.”
“Qendra stërvitore është perfekte, edhe stadiumi, – ka shtuar ish-futbollisti bardheblu. – Futbollistët e Legias luajnë shumë mirë dhe u pëlqen luajnë shumë me topin. Jam shumë i lumtur që jam këtu.” Po cili është pozicioni i tij i preferuar në fushë dhe si do të përshtatet 19-vjeçarin me skuadrën polake? “E shikoj që Legia luan me formacion ndryshe”, – thotë Muçi.
“Më pëlqen të luajë si anësor në krahun e majtë, – ka vijuar ai. – Më pëlqen shumë të jem numri 10, por është mirë çdo pozicon ku mund të jem në fushë për të ndihmuar shokët e skuadrës. Dua të luaj dhe të kënaqem me lojën tonë.” Ish-sulmuesi i Tiranës ka nënshkruar për 4 vite e gjysmë me kampionët e Polonisë, (deri më 30 qershor 2025), në një transferim që kapi shifrën e 650,000 Eurove.
“Përveç fitores së titullit kampion, kupës dhe golave, gjëja më e rëndësishme është të kënaqem dhe te rritem si lojtar dhe të përshtatem me ekipin”, – ka përfunduar futbollisti më i ri i Legias së Varshavës, Ernest Muçi.