AlbanianSport.com 05/10/2021 17:10
ASNN – Lojtari i Kombëtares kuqezi “var këpucët” në gozhdë në moshën 34-vjeçare. Kështu, në moshën 34-vjeçare dhe me 3 gola në 33 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë, Migjen Basha i var këpucët në gozhdë. Mesfushori i lindur dhe i formuar si futbollist në Zvicër, por që përqafoi ngjyrat kuqezi në rang kombëtareje, i jep fund karrierës si futbollist. Nëpërmjet një postimi emocional në rrjetet sociale, ku liston të gjitha skuadrat ku ka luajtur, Basha falënderon të gjithë ata që mbështetën në rrugëtimin e tij të gjatë dhe të bukur në futboll.
“Erdhi momenti të kthesh faqe… Munda të jetoja ëndrrën time të fëmijërisë falë pasionit që më shoqëroi gjatë gjithë këtij udhëtimi që nisi në Zvicër dhe më çoi në Itali, Greqi, Australi dhe përsëri në sheshin e parë. Gjatë rrugës, me shumë dashuri dhe krenari mbrojta edhe ngjyrat e vendit tim. Dua të falënderoj këtu të gjithë ata njerëz që më pritën me krahë të hapur dhe më ndihmuan që të ndihem rehat. Inkurajimi nga familja ime, miqtë, mbështetësit, bashkëlojtarët, anëtarët e stafit dhe madje edhe kundërshtarët!”
“Të gjithë ata disi më dhanë forcën për të luftuar në çdo top. Faleminderit të gjithëve për atë që më keni dhënë gjatë rrugës! Është koha për t’i dhënë lamtumirën karrierës sime”, – përfundon ai. Migjen Basha u pajis me pasaportë shqiptare në verë të vitit 2012 ndërsa debutimi i tij me kuqezinjtë ndodhi në fitoren historike 0-1 në Norvegji (Hamdi Salihi realizoi një nga golat më të bukur në historinë e Kombëtares). Katër ditë më vonë, Basha shënoi golin e parë si kuqezi, në miqësoren ndaj Lituanisë, e luajtur në “Niko Dovana”.
Migjen Basha është pjesë e asaj plejadë të futbollistëve kuqezi që bën realitet ëndrrën e madhe: pjesëmarrjen në fazën finale të “Euro 2016”.