AlbanianSport.com 04/08/2018 13:00
ASNN – Nëse nuk do të ishte për këmbënguljen e Napolit për ta mbajtur në “San Paolo”, Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte pranë transferimit në “Stamford Bridge”, Elseid Hysaj mund të ishte një lojtar i Çellsit tashmë. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë menaxheri i futbollistit, Mario Xhufredi, në një intervistë në mediat italiane.
Ai tregoi se bisedimet midis palëve ishin në një fazë të avancuar, por Napoli nuk e lejoi shkodranin që të largohej nga nënkampionët e Italisë, pasi e shikonte si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Sipas Xhufredit, edhe vetë Sarri kërkonte që ta kishte Hysajn te blutë e Londrës, por nuk arriti ta shkëpuste dot nga klubi italian.
Menaxheri i mbrojtësit kuqezi foli edhe për rinovimin e kontratës së Hysajt, teksa bëri të ditur se nuk ka nxitim për të gjetur një marrëveshje të re me Napolin. Aktualisht futbollisti kuqezi ka dhe dy vite kontratë me Napolin, por, sidoqoftë, duhet të jetë klubi ai që duhet të këmbëngulë që futbollisti të rinovojë, edhe pse Xhufredi theksoi se ai dhe futbollisti janë të gatshëm të ulen në bisedime që në këto momente.