AlbanianSport.com 08/04/2020 23:30
ASNN – Mediat greke kanë hedhur të mërkurën idenë se e ardhmja e Ergys Kaçes mund të jetë në Gjermani. Mesfushori shqiptar, i cili aktualisht luan si i huazuar te AEL-i i Larisës, do të largohet nga kampionati grek në verë, sepse në momentin që do t’i përfundojë huazimi tek klubi aktual, ai nuk do të kthehet më te klubi mëmë, PAOK-u i Selanikut.
Kjo sepse ai ka një kontratë deri në verën e këtij viti me klubin bardhezi. Në një prononcim të dhënë së fundmi për mediat vendase, menaxheri i Kaçes, Nikos Kagiulis, ka zbuluar më tepër sa i përket të ardhmes, teksa shprehet: “Bashkëpunimi me PAOK-un mbyllet në verë dhe kjo do të thotë se atëherë do të vendosë se ku do të shkojë, përveçse ndonjë të papriture tronditëse.”
“Sigurisht që PAOK-u e ka fjalën i pari tani dhe, nëse do që ta mbajë, mund që ta diskutojmë, – ka vijuar ai. – Kaçe është paraqitur mirë tek Laria, ashtu si edhe Uardi. Për momentin nuk ka asnjë ofertë tjetër nga Greqia, por e ka një të tillë nga Gjermania. Ne do të diskutojmë gjatë kësaj periudhe. Të gjithë i dinë vlerat e tij nga paraqitjet si me PAOK-un, ashtu edhe me Kombëtaren e Shqipërisë.”
Aventura e vetme jashtë Greqisë deri tani për Ergys Kaçen ka qenë vetëm ajo tek Viktoria e Plzenjit, në Republikën Çeke, ndërkohë që në shtetin helen përveçse me PAOK-un e Selanikut, mesfushori i Kombëtares kuqezi ka luajtur edhe me Panathiankosin, Larisën, por edhe modestët e Anagjenisi Epanomit.