AlbanianSport.com 16/03/2019 17:50
ASNN – Mbrëmjen e së premtes, katër futbollistë shqiptarë ishin në fushën e gjelbër. Kështu, në Serinë B italiane u përballën me njëri-tjetrin mesfushori Ledian Memushaj i Peskarës dhe mbrojtësi Kastriot Dermaku i Kozencës. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, por duhet thënë se vlonjati la gjurmën e tij në këtë takim sepse dhuroi pasimin për gol, gjë që solli dhe barazimin me vlerë një pikë. Të dy lojtarët shqiptarë u paraqitën mirë.
Ndërkohë, mesfushori kuqezi Amir Abrashi ishte titullar dhe luajti 90 minuta në takimin që skuadra e tij Frajburg barazoi 1-1 në udhëtim ndaj Borusias së Munshengladbahut. Edhe në këtë përballje Abrashi bëri një paraqitje vërtet të mirë dhe forma sportive që po kalon është dëshmi dhe sinjal i fortë për trajnerin e Kombëtares Kristian Panuçi që ta programojë në formacionin titullar në duelin kundër Turqisë më 22 mars në Shkodër.
Ndërkohë, edhe pse i ka kaluar të 35-tat, Hamdi Salihi vijon të jetë aktiv në futboll dhe sot në mbrëmje, edhe pse skuadra e tij Nojshtad humbi në Bundesligën 2 të Austrisë përballë Austrisë së Vjenës me rezultatin 3-1, shkodrani shënoi golin e nderit për ekipin e tij në minutën e fundit, me penallti. Ishte një gol thjesht për statistikë si për skuadrën dhe për Salihin.
Pasi me këtë realizum shkon në 5 gola këtë sezon, por duhet thënë se nuk ka luajtur rregullisht dhe në fakt ai po bëhet gati të hapë një dritare të re në karrierën e tij, atë të trajnerit. Në ndeshjen e së premtes, Salihi u fut në fushë në minutën e 75-të.