AlbanianSport.com 02/01/2018 18:05
ASNN – Tek Rejnxhërs shqetësohen për Grezdën, e mbron zv/trajneri: “Nuk është mësuar me 50 mijë tifozë në stadium”. Gllasgou Rejnxhërs është një prej klubeve më të njohura jo vetëm në Skoci, por në krejt Britaninë e Madhe. Në radhët e këtij klubi u afrua para disa javësh edhe sulmuesi i krahut i Kombëtares kuqezi, Eros Grezda, i cili pas një dëmtimi që kaloi po rikuperohet dhe po punon për të qenë në 100% të tij.
Por ende nuk është në formën e vet maksimale dhe këtë e pranojnë dhe drejtuesit teknikë të skuadrës. Tifozët kanë shprehur shqetësim për cilësinë e Grezdës dhe faktin që ai nuk po përshtatet me grupin. Por atij i ka dalë në mbrojtje zëvendës-trajneri i Rejnxhërsave, Geri MekAlister, i cili ka bërë një analizë së ecurisë së lojtarit dhe gjendjes së tij fizike.
Por MekAlister ka habitur kur tha për mediat se Grezda ka dhe një ngërç psikologjik, pasi nuk është mësuar nga prania e madhe e tifozëve në stadium, ku nga pak vetë që e ndiqnin tek Osijeku kroat, tani e ndjekin 50 mijë vetë në stadium. “Duke e parë atë në stërvitje, – u shpreh MekAlister, – dhe duke qenë rreth tij, dallon besim dhe aftësi në lojën që bën, atë që pamë ne kur e vendosëm ta afronim në skuadër.”
“Tani shoh një lojtar që po i afrohet asaj që kërkojmë, – vijoi më tej ish-lojtari i njohur skocez, – ai ka treguar më shumë besim në terrenin stërvitor. Pse po vonon kaq shumë përshtatja në fushë? Ai kishte një dëmtim dhe kur shihnim disa video nga periudha e tij te Osijek, gjëja që binte në sy ishte se nuk e ndiqte askush në stadium. Por ai papritur e sheh veten në një vend ku janë 50 mijë vetë që ndjekin.
“Kjo është diçka krejt ndryshe për të”, – ka përfunduar zëvendës-trajneri i Gllasgou Rejnxhërs, Geri MekAlister. Kujtojmë që Grezda është shndërruar në lojtarin më të dashur për trajnerin Kristian Panuçi, i cili i ka dhënë besim dhe e ka ftuar vazhdimisht gjatë vitit të fundit në përfaqësuese, duke i dhënë madje rol titullari në fushë në ndeshjet zyrtare. Padyshim, Grezda është lojtar me të ardhme.