AlbanianSport.com 02.03.2016 11:35
ASNN – Kosovari Alban Meha është një ndër lojtarët më në formë të Kombëtares kuqezi dhe, me klubin e tij turk, Konjasporin, mesfushori po shënon dhe po ndihmon ekipin, që të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Kupat e Evropës. Por Meha po mendon edhe për finalet e Euro 2016.
Ai tha për mediat turke se Kombëtarja e Shqipërisë mund të bërë një tjetër suprizë. “Jemi në një grup shumë të vështirë, por edhe në Eliminatore kishim gjithashtu kundërshtarë të fortë”, – tha mesfushori shqiptar, duke folur për gazetën vendase, “Haber Turk”.
“Në ndeshjen e parë me Portugalinë patëm edhe pak fat, pasi mungonte Ronaldo, por ajo fitore ishte një nga suprizat e eliminatoreve, – ka vijuar ai. – Tani do të përpiqemi të bëjmë një tjetër surprizë në fazën finale. Do ta nisim me Zvicrën që nuk e kemi mundur ndonjëherë, por do ta bëjmë kësaj here.”
Alban Meha u aktivizua vetëm pak minuta në fazën eliminatore i kushtëzuar nga dëmtimet dhe zgjedhjet e trajnerit, por është gati të bëjë më të mirën në fazën finale të Evropianit. Por mbetet për t’u parë nëse trajneri kuqezi, Xhovani De Biazi, do ta marrë me vete në “Francë 2016”.