AlbanianSport.com 13/11/2018 18:35
ASNN – Fundjavën që lamë pas dhe në dy ditët e para të kësaj jave, nga kuqezinjtë kanë dalë lajme shumë të mira. Natyrisht jo të gjitha lajmet janë të mira, sepse ka pasur dhe dëmtime si Ylber Ramadani e Rei Manaj, apo bllokimet e Ivan Balliut e Fiorin Durmishajt, si dhe refuzimi i Loret Sadikut. Por, në tërësi, në ditët e fundit, kuqezinjtë kanë pasur një paraqitje vërtet të mirë, kanë luajtur, kanë shënuar e pasuar për gola, e madje janë vlerësuar me nota të larta, sinjale këto mjaft të mira në prag të ndeshjes me Skocinë të shtunën.
A janë këto sinjale një ogur i mirë për trajnerin Kristian Panuçi në prag të kësaj sfide me peshë dhe vendimtare për të ardhmen e tij? Kjo mbetet të shihet, por është fakt se kuqezinjtë patën një javë magjike në tërësinë e tyre. Kështu, me Atalantën, Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti shkëlqyen dhe ishin ndër më të vlerësuarit në median sportive italiane. Te Lacio shkëlqeu i përhershmi Thomas Strakosha, i cili është futur edhe në top-20 futbollistët më të mirë të Serisë A, në një listë ku për herë të parë këtë sezon e mori kryesimin portugezi Kristiano Ronaldo.
Po këtë javë, Migjen Basha pati paraqitje me fitore tek Arisi i Selanikut, ndërkohë që Mavraj nuk luajti në këtë takim ndaj Smirnës sepse e kishte ftuar Panuçi në Durrës tek grumbullimi i Kombëtares. Paraqitje mjaft e mirë dhe më Lenjanin, deri diku edhe Xhaka, Hysaj e Ismajli. Padyshim, shkëlqeu Eros Grezda me Gllasgou Rejnxhërs me dy golat e tij kundër Madheruellit, apo dhe loja plot pasion e Memushajt dhe Ndojit në Serie B. Sabien Lilaj ishte ndër më të vlerësuarit në Azerbajxhan, ndërsa Andi Lila është titullar i padiskutuar në mesfushën e PAS Janinës.
Si të mos mjaftonin këto, sot erdhi një tjetër lajm pozitiv për kuqezinjtë. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë Egzon Binaku, pjesë e Malmoes në Suedi, i cili është përzgjedhur në formacionin e 11-shes më të mirë të javës në kampionatin elitar suedez. Të gjitha këto të bindin që skuadra është në formë të mirë dhe lojtarët kanë marrë ngarkesë që bindin në veprimet e tyre. Ndoshta dhe vetë trajneri Kristian Panuçi ka krijuar vetëbesim dhe të gjithë presin me patjetër fitore ndaj Skocisë.