AlbanianSport.com 16/09/2021 23:10
ASNN – Uzuni mundet si zëvendësues në Gjermani, Hysaj dhe Strakosha vuajnë gafën e portierit shqiptar. Ka qenë një mbrëmje për t’u harruar ajo e enjtes në mbrëmje e disa prej titullarëve kuqezi në veprimtarinë e dytë e futbollit kontinental të klubeve, në Ligën e Evropës.
Kështu, pasi nuk ka arritur të sigurojë vendin në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, kampionia hungareze, Ferencvaroshi, është kënaqur me një vend në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, aty ku ka kërcënuar të bëjë të papriturën në Gjermani, teksa ka kaluar e para në epërsi në fushën e Bajer Leverkusenit.
Por skuadra vendase ka barazuar shifrat në 8 minutat e fundit të pjesës së parë. Ndërsa në të dytën, Leverkuseni gjen edhe golin e fitores në minutën e 69-të, ndërsa 3 minuta më herët, për Ferencvaroshin ishte futur në fushë si zëvendësues edhe futbollisti i Kombëtares kuqezi, Myrto Uzuni.
Por, sidoqoftë, ai nuk ka arritur të bëjë diferencën për kampionen hungareze që mundet me shifrat 1-2 në takimin e parë në grup. Ndërkohë, ka qenë edhe më e hidhur mbrëmja për Lacion e dy futbollistëve kuqezinj, Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha, që janë mundur 0-1 në Stamboll përballë Gallatasarajit vendas.
Ka qenë gafa e portierit shqiptar ajo që ka vendosur fatin e ndeshjes, teksa ai ka gabuar duke e shtyrë topin në rrjetë në një situatë mjaft të thjeshtë.