AlbanianSport.com 11.12.2016 09:35
ASNN – Ishte folur për një rënie në formë, po ai është kundërpërgjigjur menjëherë. Mërgim Mavraj është bërë pjesë e formacionit të javës së 14-të të Bundesligës së parë gjermane, të përzgjedhur nga emisioni i kanalit të njohur ARD. Mbrojtësi i Këlnit dha kontributin e tj në barazimin 1-1 me Borusian e Dortmundit këtë fundjavë.
Sipas “Sportshau”, futbollisti shqiptar pati një rol të rëndësishëm, duke mbajtur nën kontroll Pjer-Emerik Aubamejangub. Në fakt, ndërhyrjet e sakta të Mavrajt e shpëtuan skuadrën e Këlnit, pasi qendërmbrojtësi i Kombëtares kuqezi i fitoi 85% të dueleve me kundërshtarët.
Mërgim Mavraj po kalon një nga sezonet më të mirë në karrierën e tij dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Këlnit të mendojnë rinovimin e kontratës me 30-vjeçarin. Mërgim Mavraj është titullar i padiskutueshëm tek kjo skuadër, ku është aktivizuar me minuta të plota në të 14-të takimet e deritanishme të këtij sezoni.
Ai mbetet edhe një pikë e fortë e Kombëtares në qendër të mbrojtjes dhe një nga shtyllat e kuqezinjve pas largimit të Lirok Canës. Në ndeshjen me Lihteshtejnin, Mërgim Mavraj mbajti madje edhe shiritin e kapitenit duke qenë një titullar i padiskutueshëm.