AlbanianSport.com 26.12.2016 10:40
ASNN – Duket se Mërgim Mavraj është zyrtarisht futbollist i Hamburgut. Sipas mediave gjermane, mbrojtësi kuqezi ka kryer dje në mesditë vizitat mjekësore, të cilat i ka kaluar me sukses. Sipas faqes së specializuar të transferimeve, “Transfermarkt.com”, Mavraj ka firmosur një kontratë deri në verën e 2019-ës dhe do të përfitojë 1.8 milionë euro në sezon.
Mbrojtësi i Kolnit në fazën e parë të sezonit në Bundesligë, zhvilloi 16 ndeshje, duke qenë një pikë referimi për ish-ekipin e tij. Por, për ta parë Mërgim Mavrajn me skuadrën e re në futbollin gjerman do të duhet të priten ditët e para të janarit, kur hapet edhe zyrtarisht merkatoja e futbollit evropian. Por, ndërkohë, gjiganti i mbrojtjes së kombëtares shqiptare ka kaluar me sukses testet mjekësore tek ekipi i Hamburgut.
Sipas medieve gjermane, Mërgim Mavraj do të prezantohet në qytetin verior para se t’i bashkohet skuadrës së re, më 3 janar 2016, pak para nisjes së fazës përgatitore të dimrit në Dubai. Drejtuesit e klubit kanë kërkuar me ngulm mbrojtësin e lindur në Hanau, për t’i dhënë mundësi trajnerit që ta integrojë lehtësisht në pjesën e dytë të këtij sezoni.
Largimi i tij në janar vjen si surprizë për ekipin e Këlnit dhe për shumë lojtarë të skuadrës së “Nordrhein-Vestfalen”. “E mësuam transferimin atëherë kur e morën vesh të gjithë të tjerët, – deklaroi mbrojtësi Dominik Maroh. – Mërgimi nuk ka folur shumë rreth kësaj gjëje me askënd. Mavraj ishte kthyer në një lojtar kyç në vitin e tij të tretë këtu. Ky vit ka qenë shumë i mirë për të.” Për shërbimet e Mavrajt, Hamburgu do të paguajë 1.8 milionë euro, ndërsa kontrata e mbrojtësit do të jetë deri në vitin 2019.