AlbanianSport.com 15.02.2016 18:00
ASNN – Një lajm i mirë ka ardhur në fundjavë për Kombëtaren kuqezi dhe për trajnerin e saj, Xhovani De Biazi, në rrugëtimin drejt Evropianit të Francës. Një nga më të spikaturit në këtë rrugëti, mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, kapërceu edhe një 90 minutësh pa humbje, por mbi të gjitha, në formë të shkëlqyer fizike, te skuadra e Këlnit.
Ai luajti gjatë tërë takimit që Këlni fitoi të shtunën ndaj Eintrahtit të Frankfurtit, me rezultatin 3-1, të vlefshëm për javën e 21-të të Bundesligës së parë gjermane të futbollit. Për 29-vjeçarin Mavrajn, kjo ishte ndeshja e tretë që e luan pa u zëvendësuar, pas kthimit nga dëmtimi.
Në dy ndeshjet e kaluara, Këlni barazoi me rezultatin 1-1, si me Volfsburgun, ashtu edhe me Hamburgun. Për futbollistin e përfaqësueses së Shqipërisë, kjo ishte paraqitja e katërt në këtë sezon të goditur nga dëmtimet. Për momentin, Këlni mban vendin e 9-të të renditjes, me 29 pikë.