AlbanianSport.com 24/10/2018 13:35
ASNN – Lorik Cana “rrëfehet” për francezët: Do të largohem nga Shqipëria, jam në negociata për të drejtuar një klub evropian. Lorik Cana do të kthehet në futboll, por jo si lojtar, as si trajner. Ai po negocion për të marrë rol drejtuesi në një klub të njohur evropian. Në një intervistë për mediat franceze, Cana ka lënë të kuptuar se nuk do të fillojë karrierë trajneri, të paktën jo tani.
Atij i pëlqen roli drejtues dhe pavarësisht se e mbajti sekret emrin e klubit me të cilin po negocion, përflitet se është një klubi i njohur zviceran, atje ku Cana ka nisur karrierën e tij, e me shumë gjasë Lozana. “Për momentin drejtoj një fondacion në Tiranë për të promovuar sportin dhe kulturën tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, – u shpreh Cana për mediumet sportive franceze, – ku jam vendosur deri në vitin e ardhshëm.”
“Më pas, do të ndërmarr një karrierë si drejtues në një klub për të marrë eksperiencë për disa vite, – ka vijuar ai. – Përse jo, për t’u kthyer në të ardhmen si një drejtues i Olimpik Marsejës, do të më pëlqente.” Vetë Cana ruan sekretin dhe tregon se momentalisht është ende në negociata: “Ka disa pista, vazhdojnë disa negociata për blerjen e këtij klubi, ndaj nuk mund të them ende asgjë konkrete.”
“Është një klub që nuk bën pjesë në 5 kampionatet e mëdha evropiane, por do të jetë një vend i shkëlqyer për të marrë eksperiencë, – ka sqaruar gjakovari. – Dua të shoh nëse më pëlqen kjo jetë, nëse ndjehem mirë në këtë rol dhe nëse mund të arrij të shkoj në një klub më të madh më vonë. Unë jam më i orientuar nga drejtimi sportiv, ose më saktësish drejtimi në përgjithësi, nuk më ka tërhequr kurrë të jem trajner.”
“Por më intereson shumë të menaxhoj”, – ka përfunduar ish-kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë.