Adriatik Balla 28.07.2015 17:45
Mbrojtësi i skuadrës kombëtare të Shqipërisë, Lorik Cana, po bën një lojë nervash me klubin e tij italian të Lacios, pasi nuk po gjejnë zgjidhje afatgjatë dhe në të mirë të palëve për vazhdimësinë e karrierës së kosovarit në radhët e lacialëve, por në të njëjtën
kohë as për një kalim të mundshëm në një klub tjetër.
E vërteta është se Cana nuk ka marrë ofertat e duhura nga klubet që kanë qenë të interesuara dhe këto oferta janë të çala në aspektin financiar. Duke parë këtë situatë, duket i besueshëm kalimi i tij në Katar, pasi një klub i këtij vendi ka bërë një ofertë serioze financiare që nuk duhet neglizhuar.
Por Cana kërkon të luajë në një kampionat elitar evropian dhe për këtë ka ende disa mundësi. Përveç kampionatit gjerman, ku më herët është interesuar Shalke 04-ra dhe ku mund të gjendet ende një akord, rikthimi tek Olimpiku i Marsejës nuk është shteruar si pistë dhe Cana me gjasë do ta vlerësojë edhe këtë alternativë.
Sipas “lalazisiamonoi.it”, Cana nuk ka reshtur asnjëherë së menduari për Olimpikun e Marsejës, por Katari mbetet një destinacion shumë i mundshëm për lojtarin.