AlbanianSport.com 24.12.2016 10:40
ASNN – Forma e tij e shkëlqyer dhe rendimenti i lartë i golave, natyrisht që nuk do të kalonte pa u vënë re. Dhe, pas një gjysmë sezoni të shkëlqyer me Gaz Metanin në Rumani, Azdren Llullaku tërhoqi vëmendjen e shumë skuadrave në Evropë me 16 golat e shënuar, por në fund vendosi të transferohet te kampionët e Kazakistanit, te skuadra e Astanës.
Teksa është pranë familjes së tij në Itali, Llullaku ka folur për paketën sportive të transmetimet me pagesë, “Supersport”, duke komentuar zgjedhjen e bërë. “Sinqerisht jam shumë i kënaqur edhe për zgjedhjen që bëra, – ka thënë ai për median në fjalë. – E vendosa këtë klub së bashku me familjen. Kishte edhe opsione të tjera, por në fund zgjodhëm këtë sepse luan në Ligën e Kampioneve apo atë të Evropës.”
“Jam shumë i lumtur që u finalizuara transferimi im te Astana, – ka vijuar sulmuesi kuqezi. – Kanë qenë disa skuadra në Turqi që shfaqën interes të madh. Ishin edhe Legia e Varshavës dhe Leh Poznani. Por, në fund zgjodha Astanën. Aty ishte edhe menaxheri Shkumbin Qorrmemeti dhe kjo ishte një kënaqësi edhe më e madhe për mua. Ai më ndihmoi dhe jam shumë i kënaqur.”
Transferimi te Astana është hapi më i rëndësishëm në karrierën e Llullakut, jo vetëm për nivelin e skuadrës, por edhe sepse nga kontrata 2-vjeçare, kuqeziu do të përfitojë një milion euro. Aty, sulmuesi ka mundësi të realizojë edhe një ëndërr, jo vetëm të tijën, por të çdo futbollisti. “Ëndrra ime, ashtu si e të gjithë lojtarëve, ka qenë të luaj në veprimtaritë më të rëndësishme dhe Astana ma jep këtë mundësi”, – ka thënë Llullaku.