AlbanianSport.com 30/01/2019 22:05
ASNN – Shqiptarët që luajnë në kampionatin grek ishin të mërkurënprotagonistë me skuadrat e tyre, duke lënë përgjithësisht gjurmë pozitive, por edhe tension e kartonë. Kështu, Andi Lila luajti titullar për ekipin e PAS Janinës në udhëtim kundër Paok-ut të Selanikut, një ndeshje që përfundoi me fitoren e vendasve 2-1. Lila luajti si mbrojtës i djathtë në këtë takim, bëri paraqitje të mirë, por mori vetëm një karton të verdhë, pa mundur të shmangte humbjen e skuadrës së tij.
Ndërkohë, Ergys Kaçe ishte titullar për ekipin e Panathinaikosit në duelin kundër Panetolikosit, jashtë fushës së tij, duke fituar 1-0 me një supergol të Buzukusit. Vetë Kaçe bëri një ndeshje të madhe për 60 minuta, por kur mbeteshin 30 minuta lojë ai mori kartonin e dytë të verdhë si pasojë e agresivitetit në lojë dhe la fushën, por la edhe skuadrën me 10 vetë. Sidoqoftë, Panathinaikosi ia doli të fitojë minimalisht. Ndërkohë, kulmin e mbrëmjes në kampionatin helen e regjistroi shqiptari tjetër, Fiorin Durmishaj.
Ai i dha 3 pikët skuadrës së Panioniosit në duelin kundër Asteras Tripolit, në udhëtim, një fitore me vlerë për skuadrën e Panioniosit. Ishte pikërisht Durmishaj që shënoi golin e fitores, një realizim spektakolar, që mediat helene e vlerësuan me notë të lartë. Me paraqitjet që po bëjnë në fushën e lojës, si Durmishaj, ashtu dhe Kaçe, do ta kenë të sigurt ftesën në skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë për ndeshjet e ardhshme eliminatore në kuadër të Eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2020.