AlbanianSport.com 15.01.2015 15:35
ASNN – Ndërsa 24 orë më më parë ishte futbollisti i Kombëtares, Ermir Lenjani, ai që debutoi me një karton të kuq te Renë në Francë, mbrëmë ishte radha e Andi Lilës që të mos shijonte siç duhej ndeshjen e parë me skuadrën e tij të re, Parma. Debutimi i kavajasit ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme dhe ka zgjatur më pak se një çerek ore.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare e gjeti veten në formacion në ndeshjen e Kupës kundër Kaljarit (2-1), të luajtur mbrëmë, por vetëm 13 minuta më vonë, atij iu desh të linte fushën e lojës me një problem muskulor në kofshë. Sipas mediave italiane dyshohet për një tërheqje, çka do ta mbante 28-vjeçarin minimalisht dy javë larg fushave. Lila ka kaluar vetëm në fillim të këtij viti nga PAS Janina te Parma në formë huazimi, me të drejtë blerje të kartonit në fund të sezonit.
Por ai nuk luajti dy ndeshjet e para të këtij viti në kampionat për shkak të vonesës në plotësimin e dokumentacionit të transferimit. Vetëm të hënën u plotësua edhe kjo mangësi dhe dje Lila doli nga minuta e parë në fushë, por u detyrua t’i linte vendin Souzës, pasi ndjeu dhimbje në kofshë. Sot, mbrojtësi do bëjë një vizitë më të specializuar për të parë shkallën e këtij dëmtimi dhe kohën e rikuperimit.