AlbanianSport.com 17/12/2018 21:15
ASNN – Pas Ligës së Kampioneve në Nion të Zvicrës u hodh shorti edhe për fazën e eliminimeve direkt të Ligës së Evropës. Ndryshe nga aktiviteti i Ligës së Kampioneve që në këtë fazë ka 8 çifte, në Ligën e Evropës ka dysfishin, pra 16 çifte, pasi këtij grupi i janë ngjitur ekipet që përfunduan në vendin e tretë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve.
Pas hedhjes së shortit , kryendeshja, ose finalja e parakohshme është ajo mes Lacios dhe Seviljes, një short “vrastar” për ekipin e Thomas Strakoshës, ku militojnë edhe shqiptarët e tjerë Berisha e Durmishi, por edhe drejtori sportiv Igli Tare. Në tërësi, ekipet italiane patën fat të mirë, pasi Interi do të përballet me Rapidin e Vjenës, ndërsa Napoli me Zyrihun e shqiptarëve.
Për Çellsin e Londrës, që llogaritet si një pretendet për trofeun, goglat rezervuan kampionen e Suedisë, Malmoen, kurse ekipi tjetër i njohur anglez, Arsenali, do të përballet me bjellorusët e BATE Borisovit. Më poshtë jepen duelet e këtij raundi në Ligën e Europës.
Liga e Evropës
Shorti i turit të 32-shes
- Viktoria Plzenj – Dinamo Zagreb
- Klub Bryzh – Salcburg
- Rapid Vjenë – Inter
- Sllavia Praga – Genk
- Krasnodar – Bajer Leverkusen
- FC Zyrih – Napoli
- Malmoe – Çellsi
- Shakhtar Donjeck – Eintraht Frankfurt
- Sëlltik – Valencia
- Renë – Real Betis
- Olimpiakos – Dinamo Kiev
- Lacio – Sevilja
- Fenerbahçe – Zenit Shën Pjetërburg
- Sporting Lisbonë – Vijareal
- BATE Borisov – Arsenal
- Gallatasaraj – Benfika