Adriatik Balla 30.10.2015 14:25
Mesfushori kuqezi Ledian Memushaj thuajse ka zyrtarizuar dje rinovimin e kontratës së tij me Peskarën deri në vitin 2019. Lajmi i publikuar nga mediat për zgjatje të bashkëpunimit deri në vitin 2019, është konfirmuar edhe nga vetë mesfushori Kombëtares shqiptare.
28-vjeçari nga Vlora bëri të ditur se ka biseduar me drejtuesit e klubit “për rinovimin”. Sipas Memushajt, “mungon vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes së re”, pasi palët kanë arritur “një akord parimor”.
Në sezonin e tij të dytë te Peskara, mesfushori është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit. Memushaj mban shiritin e kapitenit dhe këtë sezon ka realizuar dy gola në pesë ndeshje në Serinë B.