AlbanianSport.com 27/02/2019 11:05
ASNN – Liridon Latifi hero i Akademisë “Pushkash”, 3-golësh dhe kualifikim në Kupën e Hungarisë. Ai që ishte kritikuar vazhdimisht se po dështon tek Akademia “Pushkash” në Hungari, Liridon Latifi, shpërtheu të martën në mbrëmje, me 3 gola për skuadrën e tij në kuadër të Kupës së Hungarisë. Skuadra e Latifit mundi në fushë të huaj ekipin e Paksit dhe është kualifikuar për më tej, pasi ndeshja e parë midis tyre ishte fituar nga kundërshtari 2-1.
Në duelin e mbrëmshëm. Latifi shkëlqeu i gjithi, duke shënuar 3 gola dhe duke mundësuar suksesin e ekipit të tij. golin e parë e shënoi pas një ekzekutimi të saktë nga goditja e dënimit, golin e dytë e shënoi me kokë dhe të tretin me 11-metërsh, duke vulosur një fitore të madhe në një mbrëmje të madhe. Duartrokitjet e të pranishmëve ishin vetëm për të dhe të gjithë e kanë kuptuar se djaloshi shqiptar mund të bëjë gjëra të mëdha.
Ai kërkon më shumë besim nga stafi i tij teknik, ndërkohë që golat duhen parë edhe si një sinjal i fortë për trajnerin e Kombëtares, Kristian Panuçi, të cilit i kërkon në këtë formë një ftesë për eliminatoret e Kampionatit të ardhshëm Evropian. Dhe ky 3-golësh mund të jetë një sinjal rivaliteti me sulmuesit e tjerë dhe lojtarët e tjerë të krahut në prag të duelit të parë të Kombëtares kuqezi me Turqinë, ndeshje që luhet më 22 mars 2019 në Shkodër.