Adriatik Balla 19.05.2015 12:55
Hamdi Salihi, i cili është larguar nga Izraeli dhe gjendet në Austri për të kërkuar ekip të ri. Ende nuk ka të dhëna konkrete se cilën skuadër do të zgjedhë, por sulmuesi kuqezi ka luajtur dhe më parë në kampionatin austriak dhe Rapidi i Vjenës, apo Riedi mund të jenë destinacioni i ri i tij për sezonin e ardhshëm. E ardhmja e Hamdi Salihit te Hapoeli i Haifas, është kështu në dyshim.
Hapoeli i Haifas, që mbijetoi falë dy fitoreve të siguruara me golat e Salihit, sipas presidentit Joav Katz, do të bëjë një revolucion në skuadër. Bashkë me sulmuesin shkodran do të largohen edhe mesfushorët Astojand dhe Dajani. “Hamdi Salihi nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit”, – shkruan faqja izraelite “One.co.il”. Në komunikim me mediat tona sportive, Hamdi Salihi është shprehur rreth kësaj çështjeje, duke lënë të hapura të gjitha opsionet.
“E vërteta, ka të bëjë më faktin se mua më përfundoi kontrata, të cilën e kisha deri në fund të sezonit, – tha Salihi, i cili ndodhet në Austri për momentin. – Nuk kemi folur ende për një kontratë të re.” Në fakt, lajmi ka sjellë polemika midis tifozëve dhe klubit izraelit me reagime të forta. “Ai na dha 6 pikë dhe na mbajti ne në Liga Ha’Al”, – shkruante një tifoz.
“Një fillim i keq duke lënë Salihin të largohet”, – ishte reagimi i një tjetër tifozi i publikuar në faqen “One.co.il”. Ndërsa i gëzuar është një tifoz i Beitarit të Jeruzalemit, i cili nuk e fsheh ngazëllimin: “Salihi është një sulmues i mirë, mund të bënte shumë mirë të Beitari!”.