AlbanianSport.com 11/02/2019 15:40
ASNN – Lojtarët e Kombëtares kuqezi që luajnë në kampionatet e ndryshme evropiane, kanë bërë një paraqitje vërtet të mirë në fundjavën që lamë pas. Kuptohet, jo të gjithë ishin në lartësinë maksimale dhe jo të gjithë luajtën 90 minuta të plota, madje pati dhe prej tyre që zhgënjyen sikurse ndodhi me Kejdi Baren, i cili doli nga fusha në minutën e 59-të me karton të kuq, pasi mori dy të verdha në duelin e Malagës ndaj Las Palmasit. Të tjerët patën momente mjaft pozitive. Kështu, Rei Manaj ka lënë përfundimisht pas shpine dëmtimin e javëve më parë në kokë dhe tani ndihet gati për Albaseten e tij.
Luajti 65 minuta në fitoren 2-0 të skuadrës së tij në Segunda Divizion. 72 minuta luajti Françesko Tahiraj në kampionatin kroat, me Hajdukun e Splitit, duke marrë vlerësim pozitiv pavarësisht se nuk e gjeti rrugën e rrjetës. Hajduku mundi Lokomotivën e Zagrebit 2-1 në një ndeshje ku shënuan nga një gol shqiptarët Ardian Ismajli (për Hajdukun), si dhe Myrto Uzuni (për Lokomotivën e Zagrebit). Pak minuta për Armando Sadikun me Luganon, luajti në 15 minutat e fundit, por pa lënë gjurmë, megjithëse në Zvicër thonë se po përmirësohet dhe po rritet.
Po me Luganon, pas një viti i dëmtuar aktivizohet në 20 minutat e fundit edhe mbrojtësi Burim Kukeli, një shenjë e mirë që ai po rikthehet dhe mund të joshë madje dhe trajnerin e Kombëtares Kristian Panuçi, të cilit mund t’i shërbejë Kukeli si lojtar para mbrojtjes në thyerjen e aksioneve të kundërshtarit dhe në organizimin e aksioneve të përfaqësueses. Ndërkohë, Mërgim Mavraj, Ardian Ismajli, Myrto Uzuni, Ledian Memushaj, Etrit Berisha, dhe Ermir Lenjani luajtën 90 minuta në ndeshjet e tyre këtë fundjavë, duke bërë performancë mjaft të mirë për skuadrat e tyre.
Ata kanë kështu rol thelbësor në rezultatet pozitive të ekipeve ku aktivizohen. Sa i takon Lenjanit, ai ishte vendimtar për Sinonin në Superligën e Zvicrës. Edhe pse luan mbrojtës i majtë, ai shkëlqen si sulmues, shënon golin e 3-të për ekipin e tij dhe bën një nga ndeshjet më të mira të tij për këtë sezon. Panuçi mund të ndihet i lumtur që lojtarët kuqezinj po aktivizohen dhe shënojnë gola, sepse kjo është shenjë e mirë në prag të startit të eliminatoreve të Kampionatit Evropian, ku ndeshja e parë në radhë do të jetë ajo ndaj Turqisë në fund të marsit, takim që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.