AlbanianSport.com 30/01/2019 23:55
ASNN – Atalanta shkatërron Juventusin dhe kap gjysmëfinalen,Berisha dhe Gjimshiti fusin në “xhep” Kristiano Ronaldon. Mbrëmjen e sotme në Kupën e Italisë u regjistruan surpriza të mëdha. E para ishte disfata e rëndë e Romës 7-1 në udhëtim përballë Fiorentinës, një prej humbjeve më të rënda e më të turpshme të Romës në këtë edicion. Në gjysmëfinale kalon Fiorentina, që ia dedikoi fitoren Astorit, ish-kapitenit të ndarë nga jeta vitin e kaluar.
Ndeshja tjetër emocionuese ishte ajo mes Atalantës dhe Juventusit, e mbyllur me fitoren 3-0 të bergamaskëve, një fitore e papritur dhe mjaft spektakolare, ku “Zonja e Vjetër” u detyrua të dorëzohet pa kushte. Në këtë ndeshje dy gola i shënoi i përhershmi Duvan Zapata, për momentin golashënuesi më i mirë në Serie A, kurse një gol e shënoi Kastanje. Në këtë ndeshje një paraqitje mbresëlënëse bënë edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti dhe portieri Etrit Berisha.
Të dy kuqezinjtë i kryen detyrat e tyre në mënyrë perfekte dhe dhanë një kontribut të çmuar për fitoren e skuadrës së Atalantës. Ata e futën në “xhep” sulmuesin kryesor të Juventusit, Kristiano Ronaldo, i cili nuk la gjurmë në këtë përballje. Pas kësaj ndeshjeje, Atalanta mori një fitore të madhe që ia siguron të shkojë në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Madje dhe në kampionat Atalanta ka ecur mjaft mirë dhe me këtë paraqitje e me këtë ritëm rezultatesh mund të pretendojë pse jo një vend në 4-shen e parë të Serisë A.
Pozicion ky që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Ishte pikërisht paraqitja e shqiptarëve që ndihmuan Atalantën të eliminojë Juventusin dhe të kapin një “biletë” gjysmëfinale në Kupën e Italisë. Një sukses i rëndësishëm padyshim ky për bluzinjtë e Bergamos.