AlbanianSport.com 11.01.2017 07:05
ASNN – Keidi Bare debutoi me ekipin e parë të Atletikos së Madridit. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare të Nën-21-vjeçarëve, që njihet ndryshe si Shpresat, u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen e Kupës së Mbretit me Las Palmas, një sfidë e humbur në fund me rezultatin 2-3.
19-vjeçari hyri në fushë në minutën e 79-të dhe arriti të fitonte disa dyluftime. Keidi Bare vlerësohet nga trajneri i madrilenëve, Diego Simeone, pasi mund të luajë në disa pozicione në mesfushë, ndërsa ka edhe cilësi mbrojtëse, por zotëron edhe një goditje të fuqishme.
Shqiptari është pjesë e klubit madrilen prej disa vitesh, duke u aktivizuar me skuadrat e moshave. Keidi Bare aktivizohet me ekipin e dytë të Atletikos së Madridit dhe thirrja me skuadrën e parë, të drejtuar nga trajneri argjentinas, Simeone, do të thotë shumë për karrierën e mesfushorit të ri.