AlbanianSport.com 31.12.2016 10:05
ASNN – Duket se është kthyer në bazë për të ndenjur aty. Kjo pasi Ergys Kaçe pritet të vijojë me PAOK e Selanikut, pas kthimit nga huazimi tek çekët e Viktorias së Plzenjit. Ditët e fundit ishte folur mjaft për një ardhe të tij në kampionatin shqiptar të futbollit, por, sipas Televizionit “Klan”, e ardhmja e Kaçes parashikohet të vijojë në kampionatin grek.
Përvoja e Ergys Kaçes në Republikën Çeke me Viktorian e Plzenjit përfundoi para kohe dhe mesfushori po stërvitet përsëri me PAOK-un. Në fakt, Kaçe është formuar si futbollist tek akademia e klubit selanikas dhe është pjesë e ekipit të parë që prej vitit 2010 ku ka luajtur për shumë sezone.
Duhet theksuar se futbollisti i Kombëtares po kalon një periudhë jo pozitive. Ai nuk u grumbullua nga Xhovani De Biazi në sfidën e fundit eliminatore të Botërorit, atë me Izraelin, ndërsa me Spanjën përfundoi në tribunë. Ergys Kaçe ishte pjesë e kuqezinjve në fazën finale të “Euro 2016”-ës, duke luajtur vetëm 28 minuta me Zvicrën.