AlbanianSport.com 19.04.2015 18:45
ASNN – Ergys Kaçe është rikthyer vendimtar për PAOK-u i Selanikut. Pas shumë problemeve me kartonët dhe pezullimet, futbollisti i Kombëtares ka shënuar golin e fitores 1-0 në fushën e Korfuzit, në përballjen e vlefshme për javën e 31-të të Superligës Greke të Futbollit.
Kaçe ka realizuar gol nga goditja e dënimit në minutën e 83-të, me një ekzekutim të përkryer, pasi topi ka qethur pjesën e poshtme të shtyllës horizontale të portës kundërshtare dhe është prehur në rrjetë. Mesfushori 21-vjeçar nuk shënonte prej muajit dhjetor dhe ky është goli i katërt për shqiptarin e PAOK-ut.
Ndërkaq, Sokol Cikalleshi po befason me formën e shkëlqyer që po kalon në kampionatin kroat. Sulmuesi shqiptar ka shënuar në barazimin 1-1 që Spliti arriti në fushën e Istrës, një takim ky i vlefshëm për javën e 29-të të kampionatit vendas. Ky është goli i 9-të për Cikalleshin në Kroaci.
Fitore ka patur dje edhe për Ledian Memushajn, i cili ka mbajtur më shumë se çdo lojtar këtë sezon shiritin e kapitenit te Peskara. Suksesi 1-0 që arriti ndaj Modenës e mban ekipin abrucez në zonën e “play-off”-it, duke mbajtur gjallë shpresën për t’u kthyer në Serinë A.