AlbanianSport.com 19.04.2015 12:05
ASNN – E kanë në dorë ta vendosin vetë kualifikimin direkt për në Ligën e Kampioneve, por e rrezikuan pasi pësuan një humbje. Lorik Cana dhe Etrit Berisha e dinë se, pas humbjes me Juventusin, do të duhen ende shumë përpjekje që Lacio të shkojë në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës.
Kapiteni i kombëtares ishte në fushë si titullar, ndërsa portieri u detyrua t’i linte vendit konkurrentit të rikthyer pas dëmtimit, Marketi, pasi ky ishte vendimi i trajnerit Pioli. Por Ecuria tepër pozitive dhe forma shumë e mirë e skuadrës së shqiptarëve nuk mjaftoi përballë kampionëve dhe kryesuesve.
Tetë fitore radhazi u ndalën në Torino nga golat e shpejtë të shënuar nga i zakonshmi Karlos Tevez, dhe nga mbrojtësi Bonuçi. Në fushë u duk se të dyja skuadrat i kishin pranuar rolet, ajo vendase si e para e paprekshme e Serisë A, tashmë edhe më pranë titullit, ndërsa lacialët me pretendim deri tek vendi i dytë.
Ekipi nga kryeqyteti nuk është se nuk u përpoq dhe loja aktive e Canës ishte një dëshmi e qartë, duke neutralizuar në pjesën më të madhe të kohës Tevezin apo Vidalin. Edhe pas humbjes, Lacio mbetet në pozita të mira për Ligën e Kampionëve, më shumë rrezikon kualifikimin direkt, veçse Napoli dhe Sampdoria ende synojnë ta mbërrijnë, kur janë në lojë edhe 21 pikë.