AlbanianSport.com 18.05.2015 12:15
ASNN – Ndërkohë që për disa sezoni po kurorëzohet me trofe dhe tituj, për disa lojtarë të tjerë të Kombëtares kuqezi, kjo ka qenë një javë e vështirë, sidomos për shqiptarët që luajnë në Bundesligën e dytë gjermane. Skuadra e 1860 Mynihut, ku Valdet Rama ka qenë titullar, ka fituar 2-1 ndaj Nurembergut dhe ka shpëtuar përkohësisht nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria.
Tashmë 1860 Mynihu mban vendin e 15-të, që është edhe vendi i fundit që siguron qëndrimin në këtë nivel të futbollit gjerman. Nga ana tjetër, Edmond Kapllani është rikthyer me gol si titullar, por ky gol ka mjaftuar vetëm për të barazuar përkohësisht shifrat në pjesën e parë, pasi FSV Frankfurti i tij dhe Odise Roshit është mundur 1-3 në shtëpi nga Union Berlini.
Skuadra e dy shqiptarëve është në vendin e 16-të, aty ku i duhet që të luajë një ndeshje “play-off”-i për të qëndruar në Bundesligën e dytë. Ka edhe një javë në dispozicion të skuadrave ku luajnë futbollistët e Kombëtares, që të sigurojnë qëndrimin në Bundesligën e dytë gjermane. Alen i Jurgen Gjasulës ka rënë në Bundesligën 3 pas humbjes 2-4 me Hajdenhajmin.
Orhan Ademi, i cili është një futbollist me origjinë shqiptare dhe ka zgjedhur të luajë me Zvicrën, ka shënuar gol që nuk ka shërbyer ekipit.