AlbanianSport.com 05/01/2019 23:35
ASNN – Ivan Balliu shpëton ekipin e tij me gol në minutën e 101-të, kualifikon Metzin në Kupën e Francës. Ivan Balliu ishte sot heroi i Metzit në kupën e Francës, pasi i dha fitoren ekipit të tij dhe rrjedhimisht kualifikimin në turin e 23-shes së kësaj veprimtarie. Metzi u përball me modestët e St. Kentënit, një skuadër e themeluar 100 vjet më parë, por që militon në kategoritë inferiore franceze. Por ky ekip i bëri Metzit një rivalitet mjaft të ashpër, aq sa vuri në diskutim kualifikimin e mëtejshëm.
Koha e rregullt 90-minutëshe përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1, por në kohën shtesë, pikërisht në fundin e fraksionit të parë të kohës shtesë, ishte shqiptari Ivan Balliu që i dha “krahë” skuadrës së Metzit me golin e tij vendimtar. Shqiptari shënoi në minutën e 101-të një gol me vlera për fatet e kualifikimit, sepse goli i tij ishte përcaktues për përmbysjen e ndeshjes. Dhe, falë golit të futbollistit kuqezi, Metzi fitoi me shifrat 2-1, duke kaluar më tej.
Siç dihet, në këtë fazë të Kupës së Francës ndeshjet nuk luhen me system vajtje-ardhje, por vetëm me një takim, kështu që goli i Balliut erdhi në momentin e duhur. Nga ana tjetër, trajneri i Metzit bëri një ndryshim jo të vogël për shqiptarin në këtë ndeshje, pasi, në mungesë të një formacioni të plotë, nga qendërmbrojtës e pozicionoi si mbrojtës të majtë. Balliu pritet të marrë ftesë nga trajneri Kristian Panuçi për ndeshjet eliminatore në kuadër të Kampionatit të ardhshëm Evropian.
Dueli i parë në radhë është me Turqinë në fund të marsit dhe Balliu mund të jetë një alternativë e mirë për sfida të tilla zyrtare e të rëndësishme.