AlbanianSport.com 10/12/2018 15:40
ASNN – Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Ivan Balliu, ka realizuar një “supergol”, në fakt golin më të rëndësishëm të jetës së tij. Ai është bërë baba dhe lajmi mori menjëherë “dhenë” në mediat franceze dhe rrjetet sociale, ku klubi i Metzit në ligën e dytë franceze, por edhe sportdashës të shumtë, e kanë uruar për lindjen e djalit. “Mirë se vjen Nil”, ka shkruajtur mbrojtësi i përfqësueses në rrjetin social “twitter”, ndërkohë që më pas ka vërshuar “lumi” i urimeve nga klubi dhe admiruesit.
“Urime Balliut dhe bashkëshortes së tij, – shkruhet në mesazhin e klubit të Metzit, lumturi për prindërit pas ardhjes në jetë të djalit të tyre të parë.” Një mesazh i shkurtër por domethënës për sportistin shqiptar. Në fakt, Balliu mungoi në ndeshjet e muajit nëntor kundër Skocisë dhe Uellsit, pasi pikërisht klubi i Metzit ia ndaloi grumbullimin, me arsyetimin se shkresa e FSHF-së kishte mbërritur me vonesë, një qëndrim që hapi një debat jo të vogël dhe detyroi federatën që të “kërcënojë” me kalimin e Metzit në komisionet disiplinore të UEFA-s.
Futbollisti Ivan Balliu ka pranuar të bëhet lojtar i Shqipërisë vetëm nga origjina e tij, pasi djaloshi ka lindur në Spanjë dhe ka dalë nga akademia e Barcelonës. Klubi francez i Metzit ku ai është pjesë ra nga kategoria dhe Balliu deshi të lëvizte, por nuk ia doli dot, pasi klubi i kujtoi kontratën. Tashmë ai ka ambicie që të ndihmojë sa të mundet klubin të kthehet sërish në Ligën 1 të Francës.