AlbanianSport.com 06.01.2017 22:45
ASNN – Emigracioni shqiptar është një realitet i prekshëm me brezin e tij të dytë edhe përtej Adriatikut, në gadishullin e Apenineve, ku po lulëzojnë një numër talentesh që nuk është çudi t’i shohim edhe me fanellën e përfaqësueses “axurre” një ditë.
Kjo sepse Italia po kthen vëmendjen te talentet e rritur në akademitë e skuadrave vendase. “Corriere dello Sport” veçoi më të mirët në klubet e Serisë A dhe asaj B ku nuk mungojnë edhe emrat e shqiptarëve.
Emanuele Ndoj, pjesë i Breshias, dhe Shaqir Tafa, i të rinjve të Palermos, shikohen se futbollistë premtues të së ardhmes nga e përditshmja e njohur sportive italiane. Ndoj është mesfushor i rritur te ekipet zinxhir të Roma.
Dhe ky është sezoni i parë i tij si profesionist. 20-vjeçari është aktivizuar në 11 takime në Serinë B, duke spikatur për aq pak kohë sa i është dhënë. Ndërkaq, Tafa luan me të rinjtë e Palermo në qendër të mbrojtjes dhe është 18 vjeç.
Shaqir Tafa me 10 ndeshje në kampionatin në zhvillim është pikasur nga specialistët. Në akademitë e skuadrave italiane janë të shumtë lojtarët shqiptarë ku një pjesë e tyre kanë lindur në vendin fqinj.