AlbanianSport.com 25/11/2018 14:15
ASNN – Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Ardian Ismajli, gjatë një interviste që ka dhënë për median kroate “Slobodnadamlacija”, ka folur për prezantimin e tij në skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë, aktivizimi si titullar në ndeshjen kundër Uellsit, por edhe për gjërat e rëndësishme të jetës së tij midis të cilave dhe besimi dhe praktikimi i fesë islame.
“Jam musliman, – thotë Ismajli, – dhe falem pesë herë në ditë. Në Split nuk ka xhami, por në qendër të qytetit ka një hapësirë ku mund të falemi. Besimi është diçka shumë e rëndësishme e jetës time, më jep fuqi dhe më ndihmon në momentet e vështira.” Më pas Ismajli flet për kundërshtarët më të vështirë që ka mbuluar, ndërmjet të cilëve radhit edhe Eros Grezdën.
“Tre kundërshtarët më të vështirë kanë qenë Zhunjor Fernandezi, Mario Gavranoviçi, si dhe Eros Grezda”, – shtoi Ismajli. Në këtë intervistë mbrojtësi i Kombëtares kuqezi nuk la pa përmendur dhe fitoren e Shqipërisë në miqësoren kundër Uellsit, ku ai theksoi për median kroate se e bllokoi sulmuesin kryesor Gareth Bejl. “Kam luajtur mirë në atë ndeshje”, – tha mbrojtësi i Kombëtares Ardian Ismajli.
“Dhe e di që i realizova mirë detyrat e mia, – vijoi ai. – Bejli s’mundi të bënte asgjë përballë nesh, e bllokuam dhe s’i dhamë asnjë shans. Këto janë momentet më të mira të karrierës time dhe unë falënderoj Zotin që më dha guxim. Falënderim edhe për trajnerin Kristian Panuçin, i cili më dha besim dhe më bindi mua të zgjedh ngjyrat e Kombëtares kuqezi.”