AlbanianSport.com 19/01/2019 16:15
ASN – Të dielën në mbrëmje, Napoli pret në fushën e vet Lacion, në takimin e vlefshëm për javën e 20-të të Serisë A, në një sfidë që mund të rezultojë e rëndësishme për fatin e të dyja skuadrave. Për më tepër, kjo ndeshje premton të jetë edhe një derbi shqiptar, pasi në radhët e napolitanëve militon mbrojtësi i krahur, Elseid Hysaj, ndërsa në krahun tjetër, portën e bardhekaltërve të kryeqytetit e mbron Thomas Strakosha.
Megjithatë, për momentin, ky derbi kuqezi është i mbetur në tentativë. Ndërkohë që gardiani i portës kuqezi është konsoliduar në 4-këndëshin e Lacios, mbrojtësi i Napolit është në balotazh për një vend në 11-shen e parë. Në fakt, Hysaj ishte titullar në formacionin e Napolit në atë fitore me përmbysje 2-1 që arriti më 18 gusht të vitit të shkuar në nisje të sezonit.
Por telenovela që ka vijuar që atëherë, ku ardhja e trajnerit Ançeloti dhe preferencat e tij të ndryshme teknike, por edhe interesimi i vazhdueshëm i ish-trajnerit të Napolit, Sarri, për ta tërhequr shkodranin tek Çellsi kanë bërë që Hysaj të lëkundet në formacion. E tillë është edhe gjendja për momentin, ku futbollisti i Kombëtares kuqezi është në balotazh në formacion me Malkuitin, me këtë të fundit pak më të favorizuar për vendin në 11-shen e parë.
Mbetet për t’u parë nëse Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha do të rreshtohen përballë njëri-tjetrit të dielën në mbrëmja.