AlbanianSport.com 05.01.2017 11:15
ASNN – Ai është një nga titullarët e padiskutueshëm të Kombëtares kuqezi, por edhe të klubit të tij, Napolit, ku është kthye ditët e fundit nga pushimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Elseid Hysaj nisi punën në palestër, me stërvitje të diferencuar, por gjendja e mbrojtësit shqiptar shqetëson Napolin.
Gjithçka ka ardhur për shkak të një viroze gripale, e cila ka bërë që 22-vjeçari të jetë në dyshim për ndeshjen e parë të vitit 2017, ku të shtunën të kaltrit do të luajnë në “San Paolo” përballë Sampdorias. Trajneri Sarri është me dhimbje koke, ndërsa vetë shkodrani dhe stafi mjekësor po bëjnë të pamundurën.
Po synohet që ai të jetë në fushë, për sfidën që mbyll fazën e parë të Serisë A. Hysaj mund të jetë i detyruar të shtrëngojë dhëmbët dhe të luajë, pavarësisht se nuk do të jetë në formë optimale. Kjo për faktin se te Napoli mungojnë të gjithë mbrojtësit e tjerë titullarë.
Duke filluar nga Albioli i skualifikuar, për të vijuar me Kulibalinë dhe Gulamin, të cilët janë me përfaqësueset e tyre në Kupën e Afrikës, e të tjerë. Elseid Hysaj pritet të jetë në fushë përballë Sampdorias në fundjavë, natyrisht, nëse gjendja e tij nuk përkeqësohet