AlbanianSport.com 31.07.2015 07:05
ASNN – Sikundër është bërë tashmë e ditur, Empoli dhe Napoli kanë arritur një akord prej pesë milionë eurosh për kartonin e mbrojtësit, në mënyrë që trajneri Sarri të ketë në skuadër futbollistin e tij shqiptar. Mbrojtësi i Kombëtares do të përfitojë një pagë prej 600 mijë eurosh në sezon, plus shpërblimet, ndërkohë që ka lidhur një kontratë pesëvjeçare. Megjithatë, është një kontratë prej 50 mijë eurosh që futbollisti ka me një firmë veshjesh gjermane, që ka penguar gjithçka.
Janë të drejtat e imazhit që Napoli nuk ua lejon lojtarëve, pasi në politikat e saj klubi duhet të ketë të drejtat e imazhit për secilin futbollist. Kjo ka bërë që të pengohet firma përfundimtare e lojtarit për t’u zyrtarizuar dhe për të bërë transferimin përfundimtar edhe me dokumentacionin e plotë në zyrat e Ligës italiane të futbollit. Ndërkohë, mbrojtësi shqiptar ka zënë faqet e para të gazetave italiane të ditës së djeshme. Akordi mes klubeve është përcjellë si një goditje e Napolit falë vendosmërisë së trajnerit Sarri për të afruar në ekip të besuarin e tij.
“Napoli, dy përforcime”, ishte titulli i madh i “Corriere Dello Sport”, që shoqërohej edhe me dy foto të futbollistëve. Shpjegimi në nëntitull ishte: Akord me Empolin për futbollistin shqiptar i kërkuar me ngulm nga Sarri”. Më tej, edhe një tjetër gazetë italiane ka pasqyruar lajmin në faqe të parë. “Napoli: Hysaj, Kirikes… e Higuain”, ishte titulli që publikonte lajmin e “La Gazetta Dello Sport”, ndërkohë që shpjegohej: “Napoli përforcohet sërish. Dy goditje në prapavijë për Sarrin”.