AlbanianSport.com 02.02.2016 21:15
ASNN – Ai është padyshim futbollisti kuqezi i momentit dhe, me skuadrën e tij në krye të renditjes së Serisë A dhe pretendente kryesore për kurorën e më të mirës së futbollit të Apenineve, është shndërruar në lojtarin më të vlerësuar në treg.
Megjithatë, mbrojtësi shqiptar i Napolit, Elseid Hysaj, preferon të mbetet me këmbë në tokë dhe, i cituar nga mediat italiane, ka thënë se klubi i tij nuk është duke menduar për derbin me Juventusin që zhvillohet më 13 shkurt 2015.
Sipas tij, ekipi është i përqendruar në dy ndeshjet e radhës, me Karpin dhe Lacion. Hëpërhë, napolitanët janë dy pikë përpara kampiones në fuqi, “Zonjës së Vjetër”, në renditjen e Serisë A, por pas dy javësh do të udhëtojnë në Torino për këtë derbi italian të kreut.
“Nuk jemi duke menduar për atë ndeshje, – ka thënë Hysaj për Radion “Kiss Kiss Napoli”. – Është e padobishme nëse humbin përqendrimin ndaj Lacios dhe Karpit. Sa për “Scudetto”-n (titullin “kampion”), kanë mbetur shumë ndeshje për t’u zhvilluar dhe në garë janë shumë ekipe.”
“Kjo është një betejë e bukur, por edhe e çuditshme, – ka vijuar futbollisti i Kombëtares kuqezi. – Nuk ka dominim të një ekipi dhe futbolli është i paparashikueshëm. Do të tentojmë deri në fund. Kemi ekip të mirë dhe askush nga ne nuk dëshiron që ta humbim këtë mundësi.”