AlbanianSport.com 21/12/2018 15:15
ASNN – Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj, ka prej ditësh që zë faqet e para të medias së shkruar sportive në Itali dhe më gjerë, ku besohet se do të largohet në janar nga skuadra italiane, drejt një kampionati tjetër e me gjasë në Premier Ligë, ku besohet se Çellsi është klubi që ka bërë ofertë konkrete dhe trajneri Mauricio Sarri po këmbëngul që të marrë mbrojtësin shqiptar në radhët e “bluve” të Londrës brenda merkatos së janarit.
Në garë për Hysajn, shkruhej se është përfshirë dhe klubi i njohur spanjoll i Atletikos së Madridit, ku raportohej se i interesuar ishte veçanërisht trajneri Diego Simeone. Por situata ka ndryshuar krejtësisht ditën e sotme, ku trajneri i Napolit Karlo Ançeloti u ka dhënë sinjal të qartë të gjithëve se futbollistët nuk do të largohen, përfshi dhe Hysajn, vetëm nëse ndonjëri do të lidhej me zinxhirë para dyerve të klubit dhe do të kërkonte të largohej.
Shkak i deklaratave të trajnerit janë bërë shkrimet që sjellin në radhët e Napolit mbrojtësin e djathtë të përfaqësueses franceze, Benxhamin Pavard. “Nuk mund të flasim tani për këtë, – u shpreh Ançeloti për mediat italiane, – do të ishte mungesë respekti ndaj ekipit. Nëse them se më pëlqen Pavard, pastaj do të ishte mungesë respekti ndaj Hysajt, Malkuit dhe Maksimoviçit, ndërsa unë jam i kënaqur nga ata. Do të mundohemi të përmirësohemi, por nuk do të jetë e lehtë.”
Sidoqoftë, pavarësisht qëndrimit të Ançelotit, duhen marrë në konsideratë deklaratat e menaxherit Mario Xhiufredi, i cili dy ditë më parë tha për gazetarët italianë se shkodrani Hysaj kishte marrë ditët e fundit shumë oferta dhe po shqyrtonte mundësinë e largimit nga napolitanët, me destinacion një skuadër jashtë Italisë.