AlbanianSport.com 19.01.2015 17:55
ASNN – Herdi Prenga, qendërmbrojtësi 20-vjeçar i cili është huazuar te Lokomotiva e Zagrebit, i lindur në Kroaci, por me origjinë nga Rrësheni, pasi është djali i Besnik Prengës, ish-lojtarit të Partizanit dhe Kombëtares, ka rrëfyer për faqen sportive në “Facebook”, “Albania Team” se është i gatshëm ta lërë përfaqësuesen e Nën-21-vjeçarëve të Kroacisë për fanellën kuq e zi. AlbanianSport.com ju sjell intervistën që ai ka dhënë për faqen sportive në fjalë.
– Si po ju ecin punët te Lokomotiva?
– Jam shumë i kënaqur me statusin tim te Lokomotiva dhe aktualisht jemi në fazë përgatitore dhe ndjehem shumë mirë.
– A shpresoni në një rikthim te Dinamo Zagreb?
– Sigurisht që po, sepse Dinamo është ekipi im i parë. Shpresoj që me lojën time në ndeshjet e ardhshme të arrij të fitoj besimin e stafit të Dinamos.
– Ju jeni aktualisht futbollisti i përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Kroacisë. A keni patur kontakte nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF)?
– Po, luaj për përfaqësuesen e Nën-21-vjeçarëve të Kroacisë. Por nga FSHF-ja deri më tani nuk më ka kontaktuar askush.
– Babai juaj është një ish-lojtar i kombëtares, a do të dëshironit dhe ju të vishni fanellën kuq e zi?
– Po, sigurisht se do kisha dëshirë të vazhdoja rrugën e babait dhe një ditë të vishja edhe unë fanellën kuq e zi. Ky do të ishte një nder i madh për mua.
– A e keni ndjekur kombëtaren shqiptare kohët e fundit?
– Po kam parë disa ndeshje kohët e fundit dhe mendoj se ekipi është shumë i mirë.
– Cili lojtar i Kombëtares kuqezi ju pëlqen më shumë?
– Ekipi ka shumë lojtare të mirë, por do të veçoja kapitenin Lorik Cana pasi luajmë në të njëjtin pozicion dhe është një lojtar i kompletuar.
– Me cilin bashkëlojtar të ekipit shoqëroheni më shumë?
– Me Domagoj Paviçiçin, sepse që të dy jemi stërvitur bashkë te Dinamo që kur kemi qenë fëmijë.
– Cilat janë synimet e tua për këtë vit?
– Të paraqitem sa më mirë, ta ndihmoj ekipin tim që të kualifikohet për në Ligën Evropës dhe të kthehem te ekipi parë i Dinamos.